Një ditë më parë rrjetet sociale u “pushtuan” nga një video e shpërndarë nga Genard Hajdini, në të cilën shfaqej motrat e tij, Sonida Hajdini gjysmë e zhveshur.
Pamjet u përhapën me shpejtësi dhe sollën reagime të forta te ndjekësit, të cilët shprehën shqetësimin e madh për gjendjen e saj dhe kërkuan ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet.
Pas publikimit të videos, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Njësisë Administrative nr.2, zonë ku banon familja Hajdini. Kryetari i kësaj njësie, Florian Pullazi u angazhua personalisht për menaxhimin e kësaj ngjarje.
I shoqëruar nga ekipet e emergjencës dhe nga efektivët e Policisë së Shtetit, ai ka shkuar në banesën ku jetojnë vëlla dhe motër dhe kryen vlerësimet e nevojshme.

Gjatë verifikimeve u konstatua se videoja ishte publikuar me qëllim për t’u bërë “virale”, nga vetë Genard Hajdini dhe nuk kishte elementë dhune apo qëllime dashakeqësie.
Megjithatë, për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike u vendos që të dy, të shoqëroheshin për ndihmë të specializuar mjekësore, ndërkohë që video u fshi menjëherë nga rrjetet sociale.
Siç shihet dhe në fotot e mëposhtme, Pullazi së bashku me ekipin e emergjencës dhe efektivët shoqëruan për në spital dy anëtarët e familjes Hajdini.

Gjithashtu bëhet me dije se Sonida më herët ka qenë e shtruar në Spitalin e Shëndetit Mendor në Tiranë dhe ishte lënë në trajtim ambulator, nën kujdesin e një kujdestareje të caktuar nga familja.
Ministria e Shëndetësisë bëri me dije se aktualisht vëlla e motër ndodhen të shtruar në spitalin Psikiatrik të Tiranës, ku po marrin trajtim më të specializuar dhe janë nën monitorim të vazhdueshëm nga stafi mjekësor.


