Media prestigjioze Vanity Fair i ka bërë jehonë martesës së Princi Leka II i Shqipërisë me Blerta Celibashi, duke u ndalur veçanërisht te eleganca dhe zgjedhjet stilistike të nuses, që sipas saj mishërojnë një princeshë moderne.
Sipas Vanity Fair, pas shpalljes së fejesës në tetor, çifti ka finalizuar historinë e dashurisë me një ceremoni që reflekton finesë dhe klas. Vëmendjen më të madhe e mori Blerta, e cila që në daljet e para publike kishte treguar një shije të hollë në veshje dhe që në ditën e dasmës vendosi ta çojë këtë identitet edhe më tej.
Në vend të fustanit tradicional të bardhë, ajo zgjodhi një alternativë më të veçantë: një ansambël me frymë retro, të përbërë nga fund laps dhe xhaketë e strukturuar, me jakë të lartë dhe linja të pastra. Revista e përshkruan këtë zgjedhje si një kombinim mes elegancës klasike dhe një shijeje bashkëkohore, ku çdo detaj – nga kopsat e veshura deri te prerja e rregullt – kontribuon në një pamje të rafinuar dhe të kuruar deri në fund.
Elementët plotësues, sipas artikullit, janë po aq të rëndësishëm: kapelina e bardhë me vello të lehtë që i jep një prekje mbretërore, flokët e stiluar me onde të buta dhe aksesorët minimalistë, si vathët me diamant dhe këpucët elegante me rrip të hollë. Të gjitha bashkë krijojnë një imazh të balancuar, të sofistikuar dhe shumë “chic”.
Vanity Fair e vendos këtë paraqitje në të njëjtën linjë me ikonat moderne të stilit mbretëror, duke e krahasuar shpesh me Kate Middleton, për mënyrën se si ndërthur traditën me modernitetin.
Ndërkohë, në krah të saj, Princi Leka II i Shqipërisë u shfaq me një kostum ceremonial klasik “tight”, një zgjedhje tipike për evente të këtij niveli, të kompletuar me jelek gri dhe një kravatë rozë që shton një nuancë të lehtë ngjyre në të gjithë paraqitjen.


