Planet e Katedrales së Këlnit për të vendosur pagesë hyrjeje për vizitorët kanë shkaktuar reagime të forta në Gjermani, me shumë kritikë që paralajmërojnë se qasja në këtë monument ikonik mund të kufizohet vetëm për ata që kanë mundësi financiare.
Zyrtarët shpjegojnë se katedralja, kisha më e lartë në botë me dy kulla dhe një nga atraksionet kryesore në qytetin Këln, i katërti për nga madhësia në Gjermani, mund të mirëmbahen vetëm përmes një burimi të ri të ardhurash.
Në këtë kuadër, ata kanë njoftuar një plan për të nisur shitjen e biletave nga muaji korrik, me çmim që do të variojë nga 12 deri në 15 euro.
Personat që hyjnë në kishë për të marrë pjesë në meshë ose për t’u lutur do të përjashtohen nga pagesa e hyrjes.
Mirëmbajtja e katedrales kushton rreth 16 milionë euro në vit, ndërsa të ardhurat arritën vetëm në 14 milionë euro në vitin 2024, një deficit që vazhdon që nga viti 2019, sipas faqes zyrtare të kishës.
Zyrtarët e kishës janë përpjekur të ulin kostot, për shembull duke kufizuar punësimet vetëm për zëvendësimin e atyre që dalin në pension, por megjithatë bilanci mbetet negativ, raporton The Guardian.
Inflacioni dhe pagat për rreth 170 punonjës kanë rritur kostot operative të katedrales. Në të njëjtën kohë, të ardhurat janë ulur pjesërisht edhe për shkak të pandemisë së COVID-19, e cila uli ndjeshëm numrin e vizitorëve.
Nga ana tjetër, një arkitekte që drejton një organizatë jofitimprurëse që mbështet mirëmbajtjen e katedrales deklaroi se çdo çmim mbi 10 euro do të ishte i papërgjegjshëm.
“Duhet të ekzistojnë edhe hapësira jo-komerciale”,tha ajo, duke shtuar se “njerëzit nuk duhet të paguajnë për gjithçka, aq më pak për të vizituar një kishë”.
Ndërtimi i Katedrales së Këlnit nisi në vitin 1248 dhe përfundoi në vitin 1880. Edhe pse pësoi dëme të mëdha gjatë Luftës së Dytë Botërore, ajo mbeti në këmbë mes qytetit të shkatërruar.
Në vitin 1996 u përfshi në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO. Sot tërheq rreth gjashtë milionë vizitorë çdo vit.
Në vitin 2007 u vendosën dritare të veçanta me vitrazhe të projektuara nga piktori Gerhard Richter. Rrezet e diellit kalojnë përmes dritareve 20 metra të larta, të cilat janë kthyer në një atraksion turistik më vete. Richter, sot 94 vjeç, është ndër ata që mbështesin vendosjen e biletave për hyrjen në kishë.

