një paketë të plotë përfitimesh si p.sh.: bonus vjetor, automjet përfaqësues dhe të sigurt, paketa siguruese për ata dhe familjarët, plan pensioni, trajnime cilësore, etj., si dhe kushte pune që synojnë mirëqenien mendore dhe fizike të drejtuesit. “Të gjitha këto një drejtues me një karrierë të gjatë duhet t’i ketë në mënyrë që të jetë edhe më i përkushtuar dhe produktiv për të ardhmen”.
Sipas tabelave të EPPC-së, për drejtuesit e financës (CFO), paga minimale neto nga 285 mijë lekë/muaj mund të shkojë në 308 mijë lekë.
Për drejtuesit e teknologjisë së informacionit, të ardhurat mujore mund të arrijnë mesatarisht në 270 mijë lekë, nga 250 mijë lekë në muaj në vitin 2022.
Drejtuesit e burimeve njerëzore mund të paguhen minimalisht me 162 mijë lekë, nga 150 mijë lekë aktualisht.
Pagat, minimumi të indeksohen me inflacionin
“Çmimi i punës ndryshon çdo vit, në fakt siç ndryshojnë edhe çmimet e produkteve në treg. Ka periudha gjatë të cilave luhatshmëria në ekonomi është e ulët dhe për pasojë, edhe çmimet e produkteve dhe pagat janë më të qëndrueshme, ose me ndryshime të vogla.
Gjithashtu ka momente kur ekonomia është shumë dinamike, inflacioni është i lartë, ose rritja ekonomike e shpejtë, apo ka kërkesë të lartë për punonjës të një sektori, që është në lulëzim, apo të disa sektorëve njëkohësisht, por ka edhe tkurrje të ofertës së punës, sepse një pjesë aktive e forcës së punës largohet jashtë vendit apo nuk preferon të punojë më në profile të caktuara, etj.
Kur të gjithë këta faktorë takohen në një periudhë të caktuar, një, dy apo tre vjet bashkë, por edhe në një vit të vetëm, atëherë edhe ndryshimet janë shumë të larta dhe të paparashikueshme, gjë që ne e përjetuam në vitin 2021 – 2022 dhe që do të vazhdojë deri në mes të vitit 2023”, thotë Pashaj.
“Si çdo produkt tjetër, edhe çmimi i punës është rezultat i kërkesës dhe ofertës për punë. Faktori kryesor që ndikon çmimin e punës, e thënë ndryshe pagën, është kërkesa dhe oferta për një profil të caktuar ose punë të ngjashme brenda së njëjtës familje.
Natyrisht që përveç kërkesë-ofertës, ka edhe faktorë të tjerë që ndikojnë në pagën e gjithsecilit nga ne, p.sh., performanca, specializimi në një aspekt të caktuar, marrëdhëniet, etj., por në radhë të parë është tregu i punës për një pozicion pune”.
Ai shton se një nga elementet e rritjes së pagës, që nuk është një faktor parësor, por që këtë vit ka qenë shumë i rëndësishëm është inflacioni. “Rritja e përgjithshme e nivelit të çmimeve do të thotë që edhe çmimi i punës, pra paga duhet të rritet siç rriten edhe çmimet e produkteve të tjera. N.q.s. rritet nafta, energjia, ushqimet, shërbimet, pse nuk duhen rritur pagat?! “
Pashaj thotë se në vendin tonë, këtë praktikë e ndjekin kryesisht kompanitë e huaja, ndërsa ato vendase nuk e ndjekin, dhe kjo është një nga arsyet që rrjedhjen më të madhe të punonjësve të kualifikuar por edhe jo të kualifikuar e kanë kompanitë vendase.
“Inflacioni zyrtar tashmë është në nivelin e 8%, dhe ky inflacion duhet të jetë minimumi i rritjes për vitin 2023.
Natyrisht që rritja përtej 8% varet nga shumë faktorë të biznesit, por mendoj qe 8% duhet të jetë dysheme për rritje në vitin 2023”. Monitor