Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ngre alarmin për institucionalizimin e aktivitetit të call centerave mashtrues dhe kanabizimit të vendit. Nga foltorja e Kuvendit Këlliço ngre shqetësimin për licensimin e bankës online në Shqipëri për të cilën ka kërkuar informacion të detajuar nga Banka e Shqipërisë mbi miratimin paraprak të licencës, aksionerët dhe burimin e kapitalit fillestar, si dhe për lidhje të mundshme të themeluesve, Idan Avishai dhe Saniel Sanilevich, me platformat Forex.
E ndërsa shpreh shqetësimin se BSH nuk është përgjigjur pyetjeve thelbësore fton ekspertët për t’u bërë pjesë e këtij debati për shoqërinë dhe qytetarët shqiptarë pasi sa “për qeverinë dhe agjencitë e zbatimit të ligjit, sigurisht nuk kam shpresë se do të bëjnë detyrën e tyre. Nëse ka paligjshmëri dhe biznes kriminal, dihet se i pari që ka mbyllur një sy apo e ka dhënë bekimin, është vetë kryeministri Edi Rama”
Fjala në Kuvend
Dua sot të ngre disa shqetësime konkrete që më janë bërë prezent kohët e fundit nga banorë të Tiranës dhe jo vetëm.
Pas kanabizimit masiv të vendit, trafikut të drogave të forta, konsolidimit dhe forcimit të grupeve dhe familjeve kriminale që zotërojnë territore të caktuara me bekimin e plotë të qeverisë, pas pastrimit masiv të parave në sektorin e ndërtimit, pra pas këtyre krimeve të rënda, tanimë me rilindjen në krye, Shqipëria është dhe vendi i preferuar për coll centerave mashtrues
Ky është ndër bizneset e preferuara të grupeve kriminale që zhvasin kryesisht qytetarët europianë dhe jo vetëm.
Nuk po flasim për raste sporadike, por për një industri të mirëfilltë që vijon pa u ndalur, pavarësisht njoftimeve të institucioneve ligjzbatuese vendase e të huaja, pavarësisht denoncimit nga emisione të njohura si Le Iene në Itali, emisioni Piranja në Shqipëri, e pavarësisht zërit të ngritur nga opozita.
Dhe sot jo vetëm që nuk kemi një ndërhyrje të qeverisë për ta ndalur këtë aktivitet kriminal, por më keq akoma, jemi para rrezikut kur ky lloj biznesi tenton të konsolidohet edhe më shumë, madje edhe të institucionalizohet.
Muajt e fundit nga burime të hapura dhe shqetësime të ekspertëve të ndryshëm, kam mësuar se po punohej për licensimin e një banke online në Shqipëri e sot ky është fakt.
Këto shqetësime forcoheshin dhe më shumë kur shihja se si zhdukeshin lajmet e gazetarëve ekspertë të fushës.
Për këtë arsye, në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, i jam drejtuar Bankës së Shqipërisë me një kërkesë për informacion të detajuar mbi:
Miratimin paraprak të licencës për këtë bankë, aksionerët dhe burimin e kapitalit fillestar, që kërkon minimumi 10 milionë euro vetëm për sigurimin e licensimit. Nëse Këshilli Mbikqyrës ka kryer verifikime nëpërmjet komunikimeve me institucionet ligjzbatuese.
Dhe katër, mbi të gjitha, nëse këta individë, pra themeluesit, kanë lidhje të mundshme me platformat Forex.
Platformat Forex, siç e dini, janë platforma investimi online të cilat mbartin një risk shumë të lartë dhe ka pak të tilla të licensuara në vendin tonë. E ndërkohë lulëzon biznesi i mashtrimit me call center-a për gjoja investime në bursë, që ka shkaktuar shumë viktima, shumë viktima dhe dëme të mëdha financiare.
Kjo kërkesë pra, që i kam drejtuar Bankës së Shqipërisë, buron nga logjika e thjeshtë se aty ku ka mjegull dhe tym financiar, zakonisht diçka bluhet dhe zjarri është aty. Përgjigja e Bankës së Shqipërisë nuk ka adresuar të gjitha kërkesat e mia megjithëse ato ishin të qarta, të detajuara dhe tepër të thjeshta.
Më konkretisht, Banka e Shqipërisë ka konfirmuar se ka dhënë miratimin paraprak për licensimin e Jet Bank. Sipas saj, analiza financiare është bazuar vetëm tek njëri nga ortakët, Idan Avishai.
Por pyetjes sime nëse ortakët kanë punuar ndonjëherë në platformat Forex, Banka e Shqipërisë i përgjigjet çuditshëm me një shmangie naive në rastin më të mirë, ose me një sofistikim të qëllimshëm në më të keqin. Sipas saj, shtetasit Idan Avishai dhe Saniel Sanilevich nuk kanë qenë të punësuar në shoqërinë financiare Forex.
Pra, me këtë përgjigje, që nuk shteron pyetjen time mbi platformat Forex dhe jo mbi një shoqëri financiare të quajtur Forex, Banka Qendrore ose nuk e ka kuptuar kërkesën, ose qëllimisht keqinformon publikun dhe parlamentin.
Duke qenë se kemi kohë të limituar sot, dua ta mbyll me ftesën time për të gjithë ekspertët për t’u bërë pjesë e këtij debati për shoqërinë dhe qytetarët shqiptarë.
Sa për qeverinë dhe agjencitë e zbatimit të ligjit, sigurisht nuk kam shpresë se do të bëjnë detyrën e tyre. Nëse ka paligjshmëri dhe biznes kriminal, dihet se i pari që ka mbyllur një sy apo e ka dhënë bekimin, është vetë kryeministri Edi Rama.

