Sarah Mullally u emërua të premten Kryepeshkope e Canterbury-t, duke u bërë udhëheqësja shpirtërore e 85 milionë anglikanëve në mbarë botën dhe gruaja e parë që mban këtë rol në historinë 1,400-vjeçare të institucionit.
Mullally, 63 vjeç, u emërua Peshkope e Londrës në vitin 2018, posti i tretë më i lartë në Kishën e Anglisë pas kryepeshkopëve të Canterbury-t dhe York-ut. Para shugurimit të saj, ajo punoi si infermiere në spitale të Londrës dhe më pas shërbeu si Shefe e Infermierisë për Anglinë.
“Ndërsa i përgjigjem thirrjes së Krishtit për këtë shërbesë të re, e bëj këtë me të njëjtin shpirt shërbimi ndaj Zotit dhe të tjerëve që më ka motivuar që kur kam ardhur në besim si adoleshente”, tha Mullally.
“Në çdo fazë të këtij udhëtimi, përmes karrierës sime si infermiere dhe shërbesës së krishterë, kam mësuar të dëgjoj me vëmendje, njerëzit dhe shtytjen e butë të Zotit, për të bashkuar njerëzit dhe për të sjellë shpresë dhe shërim”.
Mullally do të udhëheqë një institucion që po përpiqet të mbetet i rëndësishëm në një shoqëri gjithnjë e më laike, duke u përpjekur të kapërcejë ndarjet mes krahut konservator dhe atij liberal, si dhe të rikthejë besimin pas një skandali për fshehje të abuzimeve ndaj fëmijëve.
Justin Welby, kryepeshkopi i mëparshëm, dha dorëheqjen vitin e kaluar pasi dështoi për të raportuar John Smyth, i akuzuar për abuzime fizike dhe seksuale ndaj dhjetëra djemve në vitet 1970 dhe 1980, përfshirë ata që takonte në kampet e krishtera.
Një raport i pavarur zbuloi se në vitin 2013, Kisha e Anglisë “kishte dijeni, në nivelin më të lartë”, për abuzimet e Smyth, përfshirë edhe Welby-n, i cili u bë kryepeshkop atë vit.
Sipas historianit kishtar Diarmaid MacCulloch, dorëheqja e Welby-t ishte “historike dhe pa precedent të saktë në historinë 1,427-vjeçare të Kryepeshkopëve të Canterbury-t”, pasi asnjë kryepeshkop më parë nuk kishte dhënë dorëheqje për shkak të neglizhencës ndaj abuzimeve seksuale. “Historia jonë e dështimeve në mbrojtjen e të pambrojturve ka lënë një trashëgimi dëmtimi të thellë dhe mosbesimi”, tha Mullally pas emërimit të saj.
“Si kryepeshkope, angazhimi im do të jetë të dëgjojmë viktimat, të kujdesemi për të pambrojturit dhe të krijojmë një kulturë sigurie dhe mirëqenieje për të gjithë”.
Ngjitja e Mullally-t në këtë post u bë e mundur vetëm falë reformave të ndërmarra nga Welby, i cili lejoi shugurimin e grave si peshkopeshë një dekadë më parë. Megjithëse Mullally është e vlerësuar si administratore e aftë dhe e përgatitur për kohë të vështira, emërimi i një gruaje ka shkaktuar pakënaqësi në fraksionin më konservator të kishës.
“Emërimi i sotëm e bën më të qartë se kurrë më parë që Canterbury ka hequr dorë nga autoriteti për të udhëhequr”, tha GAFCON, një grup kishash anglikane në Afrikë dhe Azi, rajone ku kongregacionet janë rritur vitet e fundit.
Për shkak të përhapjes së krishterimit gjatë Perandorisë Britanike, shumica e anglikanëve, rreth tre nga katër, jetojnë jo në Britani, por në ish-kolonitë e saj. Analistët thonë se kjo ka zhvendosur qendrën e gravitetit të besimit drejt jugut global më konservator, duke thelluar ndarjet me Perëndimin më liberal.
Për vite me radhë, Mullally ka udhëhequr procesin e kishës për të eksploruar çështjet e martesës dhe seksualitetit, dhe ka mbështetur lejimin e bekimeve për çiftet homoseksuale në kishë. Ajo është e njohur si administratore e fortë, që ka modernizuar dioqezën e Londrës dhe ka luajtur rol udhëheqës në përgjigjen e kishës ndaj pandemisë së Covid-19.
Kryepeshkopi i Canterbury-t është figura më publike e një institucioni që po përpiqet të mbetet i rëndësishëm në një shoqëri më laike. Kryepeshkopi shpesh ftohet të flasë në momente të rëndësishme kombëtare, duke udhëhequr ngjarje madhore mbretërore, përfshirë kurorëzimin e fundit të Mbretit Charles.
Kandidatët për Kryepeshkop të Canterbury-t zgjidhen nga Komisioni i Emërimeve të Kurorës, një trup i kryesuar nga Jonathan Evans, ish-drejtori i MI5, shërbimi i sigurisë së brendshme të Britanisë. Komisioni, i përbërë nga 17 anëtarë me të drejtë vote, vendos për kandidatin e preferuar, të cilit Kryeministri Keir Starmer i jep miratimin.
Megjithatë, është Mbreti Charles, Guvernatori Suprem i Kishës së Anglisë, ai që e emëron zyrtarisht kryepeshkopin. Roli i monarkut britanik daton që nga koha kur Mbreti Henri VIII u shkëput nga autoriteti i papës dhe u shpall vetë si kreu i kishës së re.
Në korrik, Evans kishte deklaruar se donte të shmangte një listë kandidatësh “të gjithë të bardhë, të diplomuar në Oxbridge, meshkuj dhe nga juglindja e Anglisë”. Ai tha se kishte “dëshirë për dikë që mund të ofrojë udhëheqje shpirtërore të vërtetë dhe drejtim për kishën”, dhe që mund të “flasë me autoritet dhe hir me një zë të krishterë në çështjet e kombit”.
Duke shpallur emërimin e Mullally-t, Evans falenderoi anëtarët e publikut që ndanë mendimet e tyre për drejtimin e kishës në një konsultim publik më herët këtë vit. “Do të lutem për Peshkopeshën Sarah ndërsa ajo përgatitet të marrë këtë shërbesë të re në muajt në vijim”, tha ai.
Mullally do të instalohet zyrtarisht në një ceremoni në Katedralen e Canterbury-t në mars 2026, duke u bërë kryepeshkopja e 106-të që nga ardhja e Shën Augustinit në Kent nga Roma në vitin 597. Ajo do të udhëheqë përpjekjet për të adresuar rënien e numrit të besimtarëve, përfshirë afrimin e të rinjve, si dhe sfidat financiare.