Me temperatura që arrijnë deri në 42°C, Europa është përfshirë nga vala e parë e të nxehtit për këtë verë. Në kontinentin më të nxehtë në planet po bëhet gjithnjë e më e dukshme dhe problematike kriza klimatike. Spanja paralajmëroi temperatura ekstreme në jug të vendit. Agjencia e Motit, Aemet bëri thirrje për më shumë kujdes, veçanërisht për të moshuarit, gratë shtatzëna e personat me probleme shëndetësore. Ministria e Shëndetësisë në Madrid këshilloi qytetarët të shmangin diellin e të qëndrojnë të hidratuar.
Edhe Portugalia në gjendje gatishmërie, me temperaturat në Lisbonë që mund të shkojnë deri në 42°C dhe rrezik të lartë për zjarre në pyje. Në Francë, autoritetet në Marsejë kanë vendosur që pishinat publike të jenë falas, për të ndihmuar qytetarët të përballojnë të nxehtin mesdhetar. Në Itali, Siçilia dhe Liguria kanë ndaluar punën në ambiente të hapura gjatë orëve më të nxehta. Sindikatat po kërkojnë zbatimin e masës edhe në rajone të tjera.
ProfitSence Logo
Në Mbretërinë e Bashkuar autoritetet kanë lëshuar paralajmërime për nxehtësi ekstreme dhe kanë bërë hyrjen në pishinat publike falas. Në Wimbledon është aktivizuar rregulli i pushimit për shkak të vapës. Në Gjermani u rrit niveli i alarmit për zjarre në pyje dhe po aktivizohet një plan kombëtar për mbrojtjen nga humbjet e jetës të lidhura me të nxehtin. Në Zvicër janë shpallur alarme portokalli për temperaturat e larta në disa kantone dhe po merren masa në zonat alpine për të shmangur mbinxehjen.
Pas rekordit të temperaturave, autoritetet në Belgjikë kanë paralajmëruar për rrezik zjarresh dhe ndërprerje të mundshme energjie për shkak të mbingarkesës. Në Irlandë janë dhënë paralajmërime për kursim të ujit dhe masa për mbrojtje nga vapa pas rritjes së papritur të temperaturave në qershor.
Situata në Ballkan
Në disa qarqe në vend janë shuar zjarre nëpër pyje dhe qytetarët këshillohen të shmangin ekspozimin në diell dhe të qëndrojnë të hidratuar. Në Malin e Zi, autoritetet kanë paralajmëruar për rrezik zjarresh në zonat malore duke shtuar patrullimet pyjore.
Në Maqedoninë e Veriut janë aktivizuar protokollet e emergjencës për shëndetin publik dhe është rritur furnizimi me ujë të pijshëm në disa zona. Në Kosovë, Instituti Hidrometeorologjik ka paralajmëruar për temperatura mbi 38°C dhe qytetarëve u është kërkuar të kufizojnë daljet gjatë ditës.
Në Serbi është shpallur alarm portokalli për nxehtësi dhe disa spitale kanë ngritur njësi për trajtimin e pacientëve me goditje nga vapa. Në Bullgari u pezulluan aktivitetet bujqësore gjatë mesditës në disa rajone, për të mbrojtur punëtorët nga temperaturat ekstreme.
Në Rumani autoritetet kanë shpërndarë ujë falas në stacione urbane dhe hapën qendra freskimi për qytetarët. Në Bosnjë-Hercegovinë është kërkuar ndalimi i përkohshëm i punëve fizike në natyrë dhe janë pezulluar disa linja hekurudhore për shkak të deformimeve nga nxehtësia. Në Greqi, ku temperaturat kanë kaluar 39°C, zjarret janë të zakonshme.