Akademiku dhe analisti i njohur Ervin Goci ka reaguar ashpër ndaj kompanisë Vodafone, duke denoncuar publikisht një praktikë që, sipas tij, përbën një skemë të mirëorganizuar mashtrimi ndaj mijëra qytetarëve shqiptarë.
Në një postim të gjatë dhe ironik, Goci tregon përvojën e tij personale gjatë pagesës mujore, ku u përball me një “ofertë të re” që në thelb ishte një rritje çmimi prej 15%, e maskuar si privilegj për “klientët e vjetër”.
“Në qershor më përfundon kontrata dhe operatorja më thotë se kam një ofertë ‘të shkëlqyer’: nga 1630 lekë që paguaj sot, do kaloj në 1800. Dhe kjo quhet ‘ofertë’, se gjoja çmimi normal është 2300. Pra, për të njëjtin shërbim, pa më pyetur, thjesht vendosin të më marrin më shumë para,” shkruan Goci, duke ironizuar edhe mënyrën si “sihariqet” e rritjes së çmimit i shiten si dhuratë.
Më tej, ai ngre dyshime serioze për një plan të qëllimshëm korporativ, që synon të rrjepë sistematikisht qytetarët, veçanërisht kur u përfundon kontrata, përmes një rritjeje të përgjithshme çmimesh të maskuara si “paketa speciale”.
“Mos ka një plan kooperativist që të vidhen me mijëra qytetarë shqiptarë një herë në vit apo në dy vjet?” – pyet ai me tone të forta.
Goci shkon më tej, duke ngritur akuza jo vetëm ndaj kompanisë Vodafone, por edhe ndaj institucioneve shtetërore që, sipas tij, mbulojnë këtë abuzim të hapur.
“U bëj thirrje gazetarëve, sidomos atyre që nuk kanë lidhje financiare me Vodafone, të hetojnë seriozisht kompaninë dhe bashkëpunimin kriminal të autoriteteve publike si AKEP dhe Autoriteti i Konkurrencës.”
Ky reagim i Gocit ka shkaktuar jehonë të menjëhershme në rrjetet sociale, ndërsa shumë qytetarë kanë filluar të ndajnë përvoja të ngjashme, duke e kthyer çështjen në një debate të gjerë mbi abuzimet e kompanive monopole në Shqipëri.