“I kam dhënë kredi djalit tim 13-vjeçar me interes 10%.” Kështu u shpreh Ermal Mamaqi në një intervistë për Grida Duma Podcast, ku ndau filozofinë e tij mbi edukimin financiar të fëmijëve dhe rëndësinë e përgjegjësisë që në moshë të vogël.
Mamaqi tregoi se në familjen e tij shmangen shprehje kufizuese si “nuk kemi para” apo “nuk e përballojmë”, duke preferuar një qasje që i nxit fëmijët të mendojnë në mënyrë kreative për zgjidhjet. Sipas tij, edhe kur një dëshirë nuk mund të realizohet menjëherë, fëmijët mësohen të reflektojnë se si mund ta arrijnë atë nëpërmjet përpjekjes dhe planifikimit.
Gjatë bisedës, ai ndau edhe një rast konkret, kur djali i tij i kërkoi një pajisje me vlerë rreth 500 euro, situatë që u kthye në një mësim praktik mbi menaxhimin e parave dhe kuptimin e vlerës së tyre.
“Nuk i dilnin lekët dhe një ditë më thotë: e gjeta zgjidhjen, duhet të më japësh kredi. Bëmë llogaritë dhe i thashë: nuk do më kthesh 500, por 550, me 10% interes, si në bankë. Filloi të thoshte duhet të punoj më shumë sepse kam kredi. Ishte hera e parë që kuptoi përgjegjësinë financiare”, u shpreh ai.
Mamaqi u shpreh se i motivon fëmijët financiarisht për leximin dhe angazhimet në shtëpi. Për çdo libër të lexuar apo detyrë të përmbushur, ata marrin një shumë të caktuar, të cilën mund ta kursejnë dhe ta përdorin sipas dëshirës.

