Presidenti Joe Biden parashtroi një plan ambicioz pune për 100 ditët e tij të para në detyrë, duke premtuar veprim të shpejtë për gjithçka, që nga ndryshimi i klimës, reforma e imigracionit e deri tek pandemia e koronavirusit.
Në ditën e tij të 50-të në detyrë (të mërkurën), administrata e tij pret një moment të rëndësishëm: miratimin përfundimtar në Kongres të paketës së tij masive të ndihmës ekonomike prej 1.9 trilionë dollarësh për koronavirusin. Projekt-ligji përfshin pagesa të drejtpërdrejta për miliona amerikanë dhe fonde për të ndihmuar Shtëpinë e Bardhë të realizojë një numër premtimesh të bëra gjatë fushatës së presidentit Biden, si rihapja e shkollave dhe vaksinimi i më shumë amerikanëve.
Në pesëdhjetë ditët e para në detyrë, presidenti Biden ka bërë përparime të mëdha për një numër premtimesh ndërsa mbetet ende punë për të përmbushur premtime të tjera që kërkojnë veprim. Ja disa nga arritjet në premtimet e tij kryesore:
PREMTIMET E PËRMBUSHURA
Presidenti Biden i dha përparësi zgjidhjes së problemit të pandemisë së koronavirusit gjatë javëve të tij të para në detyrë dhe fokusi në këtë çështje ka sjellë rezultate. Ai pritet ta realizojë synimin e tij për të bërë 100 milionë doza vaksine në 100 ditët e tij të para qysh në fund të javës së ardhshme. Shkalla e vaksinimeve tani është mesatarisht më shumë se 2 milionë vaksina në ditë. Janë bërë më shumë se 75 milionë doza që prej inaugurimit të zotit Biden.
Joe Biden ndërmori gjithashtu disa veprime të hershme duke përmbushur premtimet e bëra për politikat ndaj klimës. Ditën e Inaugurimit ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv që pezullonte lejen për ndërtimin e naftësjellësit Keystone XL, ndaloi shpimet në Zonën Kombëtare Natyrore në Rrethin e Arktikut dhe urdhëroi rishikimin e rregullave të periudhës së Trumpit për mjedisin, shëndetin publik dhe shkencën. Një urdhër ekzekutiv i 27 janarit ndaloi kontratat e reja të shpimit për naftë dhe gaz në tokat federale dhe në det të hapur.
Presidenti Biden gjithashtu realizoi me lehtësi premtimet kryesore të bëra në fushatë për anulimin e politikave të ish-administratës Trump në pothuajse çdo fushë, që nga ndryshimi i klimës e deri tek imigracioni. Së pari, administrata Biden e ktheu vendin në Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe Marrëveshjen e Parisit për Klimën, ndaloi ndërtimin e murit kufitar, u dha fund kufizimeve të udhëtimit për njerëzit nga një numër vendesh me shumicë myslimane dhe krijoi një grup pune për të bashkuar familjet e ndara në kufirin SHBA-Meksikë.
Në lidhje me imigracionin, presidenti Biden u zotua për një projekt-ligj reformash bashkëkohore në Kongres brenda 100 ditëve të tij të para dhe ai u parashtrua muajin e kaluar, megjithëse presidenti Biden ka sinjalizuar se është i hapur për një qasje më të tërthortë nëse është e nevojshme. Presidenti Biden nënshkroi gjithashtu një urdhër ekzekutiv që udhëzon Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare për të “ruajtur dhe forcuar” mbrojtjen e emigrantëve të rinj të sjellë në Shtetet e Bashkuara nga prindërit e tyre.
Joe Biden bëri gjithashtu disa lëvizje të për të përmbushur premtimin e tij për të forcuar standardet e etikës në administrate, duke përfshirë një urdhër ekzekutiv të 20 janarit që imponon një premtim etik mbi të emëruarit qeveritarë për aktivitete të tilla si lobimi dhe marrja e dhuratave, e që përfshin edhe ndalimin e ndërhyrjeve politike në Departamentin e Drejtësisë .
NË PROCES
Premtimet e tjera të zotit Biden mbeten një punë në vazhdim.
Strategjia kombëtare e presidentit Biden për COVID-19 parashikonte krijimin e 100 qendrave të reja të vaksinimit deri në fund të shkurtit, të mbështetura nga qeveria federale në të gjithë vendin. Deri tani, administrata ka krijuar rreth 20 vende për vaksinime masive të drejtuara nga qeveria federale dhe e plotësuar me trupa ushtarake në detyrë të dislokuara nga Pentagoni. Administrata thotë se në total, të paktën 441 qendra vaksinimi mbështeten tani nga qeveria federale. Shumë prej tyre nuk janë qendra të reja, por pothuajse të gjitha kanë zgjeruar kapacitetin me burimet federale shtesë.
Në lidhje me imigracionin, zoti Biden u zotua të kthejë rregullin e “akuzës publike” të vendosur nga administrata Trump për të dekurajuar emigrantët nga përdorimi i përfitimeve publike, të thjeshtojë procesin e natyralizimit dhe të reformojë sistemin e azilit në SHBA brenda 100 ditëve të tij të para. Një urdhër ekzekutiv që ai nënshkroi në fillim të shkurtit udhëzon agjencitë përkatëse të rishikojnë këto politika dhe të rekomandojnë ndryshime brenda 60 ditësh.
Administrata ka ndërmarrë disa veprime për të reformuar sistemin e azilit, duke përfshirë një lëvizje nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare për të pezulluar një program të administratës Trump që kërkonte që azilkërkuesit të presnin në Meksikë ndërsa pretendimet e tyre merreshin në shqyrtim. Por presidenti Biden ende nuk ka artikuluar një plan për të menaxhuar fluksin e azilkërkuesve, përtej propozimit që të shpenzohen miliarda dollarë për të adresuar shkaqet themelore të këtij problemi në Amerikën Qendrore.
Presidenti ka mbajtur gjithashtu urdhëra të lidhura me pandeminë që lejojnë administratën e tij të dëbojë menjëherë njerëzit në kufi pa patur një mundësi për të kërkuar azil. Ndihmësit e presidentit Biden kanë thënë se nuk kanë plane të menjëhershme për t’i dhënë fund këtij autoriteti, të cilin ish presidenti Trump e futi në fuqi një vit më parë duke përdorur një ligj të paqartë të vitit 1944 për shëndetin publik.
Presidenti Biden premtoi gjithashtu t’i japë fund ndalimit afatgjatë të familjeve migrante. Agjencia e Imigracionit dhe Doganave sinjalizoi javën e kaluar se planifikon të ndërpresë përdorimin e një strukture të tillë, por do të vazhdojë të mbajë familjet për tre ditë ose më pak në dy objekte të tjera në Teksas. Administrata Biden po zgjeron kapacitetin në një numër objektesh që mbajnë fëmijët emigrantë, për të adresuar një rritje të vazhdueshme të të miturve të pashoqëruar që kalojnë kufirin.
Në lidhje me ndryshimin e klimës, zoti Biden u zotua të vendosë angazhime të zbatueshme nga vendet e tjera për të zvogëluar emetimet në transportin global dhe aviacion dhe të organizojë një samit botëror të klimës për të diskutuar premtime të reja dhe më ambicioze për të adresuar ndryshimet klimatike, brenda 100 ditëve të tij të para. SHBA do të zhvillojë një samit të tillë më 22 prill, që është edhe Dita e Tokës.
Rihapja e shkollave është një nga premtimet kryesore të fushatës së zotit Biden që ka provuar të jetë më e vështirë për t’u zbatuar, pjesërisht pasi vendimi u është lënë zyrtarëve lokalë dhe sindikatave të mësuesve.
Këtë muaj presidenti Biden udhëzoi shtetet t’u japin përparësi mësuesve të vaksinohen dhe njoftoi se po caktonte burime federale për vaksinimin e mësuesve në mars.
Administrata Biden shpreson që me miratimin e projekt-ligjit të ndihmës ekonomike për koronavirusin dhe shpërndarjen e miliona dollarëve për shkollat për të përmirësuar masat e sigurisë, mësuesit do të ndihen më të sigurtë për t’u kthyer në klasa.
Rreth 47% e nxënësve deri në klasën e 12-të kanë qasje fizike në shkolla çdo ditë.
PRITJA PËR VEPRIM
Administrata Biden ende nuk ka ndërmarrë veprime të rëndësishme mbi reformën në drejtësinë penale, përveç një urdhri ekzekutiv që përfundon kontratat e burgjeve private. Zoti Biden u zotua të krijojë një bord mbikqyrës policie brenda 100 ditëve të tij të para, por deri tani nuk ka pasur lëvizje të qartë në atë drejtim.
Premtime të tjera për 100-ditët e para që gjithashtu presin veprim: krijimi i një grupi pune në nivel kabinetit për t’u përqendruar në promovimin e pjesëmarrjes së sindikatës dhe një rishikim të FBI-së për çështjen e kontrollit të biografisë për blerjen e armëve.
Disa nga premtimet e zotit Biden për 100 ditët e para do të kërkojnë veprime në Kongres, si premtimi i tij për të riautorizuar Aktin e Dhunës Kundër Grave dhe për të rritur taksat ndaj korporatave. Zoti Biden premtoi gjithashtu të miratohet Akti i Barazisë, i cili ndalon diskriminimin në bazë të seksit, orientimit seksual dhe identitetit gjinor. Ky projektligj është miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve por jo në Senat.
Disa nga premtimet e tij presin konfirmimin nga Senati të sekretarëve të Kabinetit të tij./VOA/