Drejtoresha e Shëndetësisë në Kamenicë, Gerta Kryeziu është ndarë nga jeta. E reja që bëri bashkë shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë, duke u mobilizuar menjëherë për kurimin e saj, fatkeqësisht e ka humbur betejën për jetën.
Pavarësisht mobilizimit të menjëhershëm dhe mbështetjes së madhe nga të gjithë, kolegë, miq e njerëz të mirë, Greta nuk arriti ta fitojë betejën me sëmundjen.
Oda e Farmacistëve të Kosovës, në emër të gjithë komunitetit të farmacistëve, shpreh ngushëllimet më të thella dhe të sinqerta për familjen Kryeziu, të afërmit, miqtë dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin Gretën.
Ndërkohë, edhe personazhe të njohur të politikës, medias dhe sferës publike kanë reaguar zemërthyer për ikjen e të resë, duke e cilësuar atë një profesioniste të zellshme në punën e saj, e përkushtuar dhe me plane për të ardhmen.
Gjendja shëndetësore e Gertës ishte rënduar ditët e fundit dhe ajo po trajtohej në spitalin “Sistina” në Shkup, ndërkohë që shqiptarët ishin angazhuar për të grumbulluar fondet që duheshin, për ta dërguar në Turqi.

Sipas ekspertëve të shëndetësisë, ajo kishte nevojë për transplant të mëlçisë, i cili mund të kryhej vetëm jashtë vendit dhe kishte një kosto të lartë financiare prej 100.000 eurosh. Shqiptarët u mobilizuan, por fatkeqësisht pas disa orësh Gerta mbylli sytë përgjithmonë.
Fotografia e saj po po shpërndahet nga të gjithë në rrjetet sociale, ashtu si mobilizimi i shpejt për të mbledhur fondet për shërim, ama sot e kanë të pamundur ta besojnë se një vajzë aq pozitive dhe e dashur nuk jeton më.